Ky program e ka zanafillën tek motoja e BE-së se edukimi për qytetari aktive u jep të rinjve njohuritë e nevojshme, aftësitë dhe vlerat për një pjesëmarrje aktive në shoqëri.
Në fokus të projekteve në kuadër të këtij programi është nxitja e të rinjve përmes aksioneve konkrete për t’i frymëzuar dhe inkurajuar ata për të marrë pjesë aktive në jetën shoqërore të vendit si dhe për t’u sjellë dhe vepruar si qytetarë aktivë
Në kuadër të programit “Qytetaria Aktive” janë realizuar një sërë seminaresh dhe workshopesh në kuadrin e projekteve “Do të të marrin seriozisht, angazhohu!“ si dhe “Rini mos rri, por duku!”, një konkurs kombëtar si dhe konferenca me temë “Angazhimi qytetar bazë e demokracisë”.
Angazhimi i qytetarëve në jetën politike dhe publike është bazë e demokracisë dhe format e angazhimit politik dhe qytetar janë të shumëllojshme. Mundësitë dhe format konkrete të pjesëmarrjes dhe të përfshirjes në politikë janë në qendër të vëmendjes së seminareve dhe workshopeve që organizohen në kuadër të projektit “Do të të marrin seriozisht, angazhohu!“
Në këto seminare dhe workshope të rinjtë kanë mundësinë të konceptojnë ide për projekte të ndryshme për komunitetin si dhe të gjejnë rrugë dhe mënyra për të fituar përkrahës dhe për të mbledhur fonde për projektet e tyre.
20-vjetori i përmbysjes së komunizmit dhe i fillimit të proceseve demokratike në Shqipëri ishte një moment i mirë për të bërë një bilanc të shoqërisë shqiptare pas dy dekadash ndryshime. Për të nxitur pjesëmarrjen dhe përfshirjen aktive të të rinjve në jetën publike, në politikë, në vendimmarrje apo në media Shkolla Demokratike organizoi konkursin me temë "Rini mos rri, por duku! — 20 vjet demokraci në Shqipëri".
Me punimet më të mira të paraqitura në këtë konkurs dhe të përzgjedhura nga juria në kuadër të veprimtarive për Tetorin Gjerman 2010 në galerinë Zeta në Tiranë u organizua një ekspozitë me temë “Kthimi në të ardhmen – nisja drejt një Europe të re”. Në të të rinjtë prezantuan ide të tyre mbi periudhën e tranzicionit në Shqipëri.