Për t’u orientuar në një botë gjithnjë e më komplekse, moderne dhe pluraliste, për të siguruar të ardhmen e demokracisë në Shqipëri si dhe për të kontribuar për zhvillimin e përhershëm të saj për të rinjtë bëhet i domosdoshëm përvetësimi sa më i hershëm i kompetencave të të vepruarit demokratik, të rregullave dhe të normave të shoqërisë civile si dhe zhvillimi i një kulture demokratike që në bankat e shkollës dhe të universitetit.
Mënyra më e mirë për të përvetësuar kompetenca të tilla është të mësuarit përmes projekteve konkrete, si ato që zhvillohen në kuadër të programit Shkolla Demokratike, e që kanë për qëllim përgatitjen e të rinjve për të marrë përgjegjësi për shoqërinë si dhe për të respektuar normat dhe rregullat e demokracisë.
Ç’vlera qëndrojnë pas argumenteve politike? Çfarë kuptojmë me vlerat universale të lirisë, të barazisë, të sigurisë? Çfarë roli luan tradita demokratike e një vendi? Çfarë roli luajnë faktorët ekonomikë? Cilat janë format e legjitimitetit? Si matet shkalla e demokracisë dhe cilat janë karakteristikat dhe përmasat e sistemeve demokratike?
Në kuadër të projektit Barometri i Demokracisë analizohen në mënyrë të vazhdueshme dhe kritike zhvillimet e demokracisë në Shqipëri, sepse demokracia është një proces që paraqet në kohë dhe vende të ndryshme cilësi të ndryshme.
Si analizohet puna dhe qëndrimi i organeve të qeverisjes qendrore dhe lokale? Si mund të artikulojmë kundrejt këtyre institucioneve interesat dhe kërkesat tona qoftë si shoqëri civile, qoftë si qytetarë. Si mund të kontrollohen institucionet apo përfaqësuesit e zgjedhur se sa i përmbushin detyrimet apo premtimet e tyre në mënyrë që Kushtetuta të mos mbetet vetëm e shkruar në letër. Këto pyetje ishin në qendër të vëmendjes së seminareve dhe workshopeve të zhvilluara në disa qytete të Shqipërisë në vitin 2013 me punonjes të administrates lokale, të rinj të interesuar për politikën dhe përfaqësues të OJQ-ve.