Zhvillimi i qëndrueshëm

Zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të kuptohet pa qëndrueshmërinë e mjedisit. Por zhvillimi i qëndrueshëm është më tepër se sa mbrojtja klasike e mjedisit. Detyra dhe sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm kanë të bëjnë me zhvillimin e kushteve të jetesës dhe të shoqërive që mbajnë parasysh jo vetëm gjendjen dhe nevojat e qytetarëve sot, por ruajnë burimet dhe përgatisin kushtet për një jetë më mirë edhe për brezat e ardhshëm.

Ideja e qëndrueshmërisë konceptohet si një trekëndësh i magjishëm qëndrueshmërie, i cili përfshin krahas ekuilibrit ekologjik edhe sferat e sigurisë ekonomike dhe të drejtësisë sociale. Aspekte të tjera të rëndësishme janë edhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, qeverisja e mirë, edukimi etj. Qëndrueshmëria pra është një koncept ambicioz i cili kërkon ndryshime themelore në të gjitha fushat politike, shoqërore dhe ekonomike.

Një nga qëllimet e projekteve në kuadër të këtij programi është edhe ngritja e vetëdijes ekologjike të komunitetit në përgjithësi me theks të veçantë tek nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.


Edukim për zhvillim të qëndrueshëm

Ky projekt synon që çështjet e qëndrueshmërisë të përfshihen në veprimin dhe strategjitë e organeve të pushtetit lokal, të institucioneve të mësimdhënies, të organizatave joqeveritare apo nismave qytetare si grupe interesi.

CEAPALNET në bashkëpunim me RCE Albania (Regional Centre of Expertise on Education for Sustainable Development), disa OJQ aktive në mbrotjen e mjedisit dhe edukimin për zhvillim të qëndrueshëm dhe me Agjencitë Rajonale të Mjedisit dhe Drejtoritë Rajonale të Arsimit organizon që prej vitit 2013 një seri tryezash të rrumbullakëta dhe seminaresh në lidhje me mundësinë e përfshirjes së koncepteve të zhvillimit të qëndrueshëm në kurikulat shkollore dhe jashtëshkollore, përdorimit të rezervateve të biosferës si vende mësimore si dhe për zhvillimin koncepteve alternative për ndërmjetësimin e njohurive të tilla.

Një ditë për klimën

Në kuadër të këtij projekti të rinj nga Durrësi, Tirana dhe Elbasani „zbuluan“ në shkolla, në konvikt si dhe në shtëpitë e tyre burime të ndryshme, ku energjia shpërdorohet: si p.sh dritare, që nuk puthiten, ndriçimi i korridoreve edhe gjatë ditës, rubinetat që pikojnë, apo aparate të tilla si televizori, DVD, karikuesit ose ushqyesit e pajisjeve që janë 24 orë në gjendje gatishmërie.

Sipas përllogaritjeve 5% – 10% e harxhimit të energjisë nga një familje shkaktohet prej aparateve në gjendje gatishmërie, apo stand-by. Ky harxhim përbën 1% të emetimeve të CO2.

Në bazë të të dhënave të mbledhura përmes matjeve dhe eksperimenteve të rinjtë përgatitën një koncept për kursimin e energjisë në shkollë si dhe këshilla praktike, se si mund të kursehet energjia elektrike dhe uji. Këto ua prezantuan gjatë Ditës për Klimën bashkënxënësve, prindërve dhe personave të tjerë të interesuar.

Ky projekt u organizua në kuadër të Tetorit Gjerman 2011 dhe u mbështet nga Ambasada Gjermane në Tiranë, Fondacioni Hanns Seidel.